Që në fëmijëri ka treguar se ishte një sportist i lindur. Fillimisht me futbollin dhe më pas me boksin. Kolec Ashiku së pari është marrë me futboll duke u aktivizuar me ekipet e fëmijëve dhe më pas edhe me të rinjtë aq sa po ta vazhdonte këtë sport, mbase sot do të ishte një emër shumë i njohur në futbollin shqiptar. Kjo ngaqë ka qenë një bashkëkohës i Ramazan Rragamit,Esat Rakiqit, Paulin Ndojës, Zyhdi Perdes, S. Preçit etj. Koleci dallohej për përpunimin e topit  si dhe në elegancën në lëvizje ku si mesfushor sulmues tërheq vëmendjen edhe të trajnerëve të Vllaznisë. Por për arsye ekonomike, ai detyrohet të braktisë futbollin dhe nis punë si shofer. Ndodh kështu vetëm pak kohë pasi ai pa sport nuk mund të jetonte. Për pasojë afrohet tek sporti i boksit ku menjëherë do të preferohej nga ana e trajnerëve për talentin e tij në ring duke u aktivizuar me të rinjtë e Vllaznisë por pa mundur të ecë më shumë pasi sporti i boksit do të hiqej nga veprimtaritë kombëtare si sport i rrezikshëm. Me fillimin e viteve ’90, Kolec Ashiku do të ishte një nga inspiruesit kryesorë sëbashku me Shyqyri Halilin, Zef Gjonin e Ramiz Halilin për fillimin e boksit në Shkodër. Ai merret me ngritjen e ekipeve të fëmijëve e më pas është trajneri i tyre. Kështu vazhdoi për vite me rradhë të jetë pranë sportit të tij të dashur deri në prillin e vitit 1997 kur disa plumba mizorë i morën jetën në moshën 54 vjeçare. Megjithatë emri i Kolec Ashikut do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve si një sportist i talentuarr e mbi të gjithë, një njeri i mirë. Memoriali Ndërkombëtar që po zhvillohet prej vitesh në Shkodër, natyrisht që ndër të tjerë, zhvillohet edhe për të. Për ta respektuar dhe vlerësuar për kontributin që ka dhënë në këtë sport, fillimisht si sportist e më pas edhe si trajner.
Gjergj KOLA