Nga Maringlen ZHIVANI
Është e pabesueshme, por fatkeqësisht e vërtetë! Rei Shpuza, kapiten i Vllaznisë U16 dhe portieri më i mirë i sezonit 2024–2025 në kampionatin “Abissnet Superiore U15”, nuk është grumbulluar asnjëherë nga Kombëtarja shqiptare e kësaj grupmoshe.
Një djalë që ka udhëhequr skuadrën me karakter, që ka shpëtuar rezultate me pritje vendimtare dhe që është vlerësuar si më i miri në të gjithë kampionatin, sot qëndron jashtë përfaqësueses, si shumë talente të tjera që ndëshkohen, jo për mungesë cilësie, por për mungesë “emri”.
Rei Shpuza ka treguar në çdo ndeshje se e meriton fanelën kuqezi, teksa ka udhëhequr ekipin e tij, si edhe ka mbrojtur portën me pasion dhe profesionalizëm.
Megjithatë, ndërkohë që ai vazhdon të shkëlqejë, Kombëtarja mbyll sytë. Vllaznia po prodhon një tjetër talent të madh, megjithatë fatkeqësisht, për momentin, duket se vetëm Shkodra e kupton vlerën e tij.