Ajo që po ndodh aktualisht te Vllaznia, shumë shpejt mund të ndodhë edhe në klubet e tjera shqiptare. FIFA ka lajmëruar se nuk ka fuqinë që të shtyjë përtej afateve dhe të mbështetë mosrespektimin e kontratave të nënshkruara nga palët. Kjo pikë kërkon miratimin e përbashkët klub-futbollistë-federatë.

Por nëse lojtarët nuk dëshirojnë të vijojnë të luajnë përtej datës që kanë kontratë, nuk mund të penalizohen. FIFA nuk e ka autoritetin për të modifikuar në mënyrë të njëanshme kushtet e saktësuara në një akord. Kontratat janë efektive deri në datën e caktuar dhe klubet e lojtarët duhet t’i respektojnë, me palën shkelëse që duhet të përgjigjet para organeve disiplinore.

Në këtë situatë të pazakontë, pjesa më e madhe e klubeve shqiptare do të jenë të detyruara që për 2 javë të gjejnë akordet me futbollistët që kanë në përbërje, pasi shumicës së tyre u mbarojnë kontratat më datën 31 maj. As klubi, as FSHF dhe as FIFA nuk do të kenë fuqi t’i ndalojnë lojtarët të largohen pa u hyrë ferrë në këmbë pas kësaj date.

Sipas informacioneve të “Konica.al”, nuk është Vllaznia që ka paga të prapambetura, po ashtu janë disa klube, madje edhe që luftojnë për objektiva madhorë. Dhe nëse nuk gjendet akordi, disa ekipe rrezikojnë të përfundojnë si ai shkodran, të luajë me të rinjtë, duke kompromentuar kështu objektivat./konica/