Mikhailo Mudrik është një futbollist i Çelsit. Ajo që ishte paralajmëruar një natë më parë, sot është bërë zyrtare nga klubi londinez, pasi futbollisti 22-vjeçar ukrainas kaloi vizitat mjekësore dhe kompletoi procedurën e kalimit nga Shakhtar Donjetck te blutë.
Çelsi ka bërë çmenduri për të siguruar futbollistin pasi raportohet se hapi i parë ishte të binte dakord menjëherë me klubin ukrainas për të paguar 100 milionë euro për kartonin e tij.
Më pas, për të bindur lojtarin, i ka dyfishuar ofertën që i ka bërë Arsenali, duke i propozuar një rrogë prej 100 mijë paund në javë, teksa “topçinjtë” i ofronin vetëm 50 mijë paund.
Kjo bëri më të thjeshtë mbylljen e shpejtë të negociatave dhe brenda ditës, Mudrik udhëtoi drejt Londrës, firmosi dhe u prezantua. Klubi bëri të ditur se ai ka firmosur një kontratë të rrallë, pasi ka nënshkruar për 8 vite e gjysmë, deri në qershorin e vitit 2031.
Më pasi, ai ishte i pranishëm sot në ”Stamford Bridge”, për të ndjekur ndeshjen e Çelsit ndaj Kristal Palas. Futbollisti u shfaq atje duke hapur një flamur ukrainas, një situatë e pazakontë duke llogaritur se në një nga tribunat është i hapur ende baneri i Roman Abramoviç, një prej mbështetësve të Vladimir Putin në ofensivën e tij në vendlindjen e Mudrik.