Merkato e dimrit ka hyrë në gjysmën e saj, ndërsa surprizat nuk kanë munguar dhe me shumë mundësi do të vijojnë të jenë prezente.
Kjo për faktin se, Al Nassr, klubi nga Arabia Saudite që pak ditë më parë zyrtarizoi Cristiano Ronaldo-n vijon të jetë shumë aktive në merkato dhe po planifikon një tjetër lëvizje të bujshme.
Fjala është për Eden Hazard. Belgu prej kohësh është zhdukur nga harta e futbollit, ndoshta edhe nga memoria, por jo kur bëhet fjalë për një skuadër që kërkon të krijojë një organikë të pasur me emra, e ndoshta edhe me cilësi.
Së fundmi, burime nga mediet spanjolle kanë raportuar se, Hazard prej ditësh ka komunikuar me trajnerin e Al Nassr, Rudi Garcia, me këtë të fundit që po bënë përpjekjet maksimale për ta bindur që të transferohet te skuadra e tij.
Nëse Ronaldo ishte një çështje te Manchester United, Hazard është akoma edhe më shumë te Real Madrid, pasi sulmuesi ka luajtur pak minuta këtë edicion dhe nga vera e vitit 2019, kohë kur u transferua në Madrid ai ka luajtur vetëm 73 ndeshje dhe ka shënuar 7 gola.
Kontrata aktuale e 32-vjeçarit me madrilenët skadon në verën e vitit 2024, por drejtuesit e Realit momentalisht nuk kanë asnjë pretendim mbi belgun, kështu që nuk pritet të bëhen pengesë për një lëvizje të mundshme.
Kështu, vendimi final i takon vetë lojtarit, nëse do të pranojë apo jo të transferohet te Al Nassr dhe të tentojë të rigjejë vetën në perëndimin e karrierës.