Dy javë përpara fundit të kampionatit, Juban Danja ndodhet 5 pikë larg Adës kryesuese megjithatë ajo ka ende shpresa tek titulli kampion. Trajneri i këtij ekipi Kreshnik Krepi mendon se edhe Ada mund të gabojë ashtu siç gaboi edhe Juban Danja në ndeshjen ndaj The Door. Nëse ndodh kjo, atëherë shanset rihapen dhe për këtë gjë, në prononcimin e tij, trajneri fitues i Kupës së Shqipërisë mendon se duhet pritur edhe kjo javë. “Përderisa kemi edhe një shans, pse të mos presim. Ashtu siç na mori pikë ne The Door, ashtu mund t’i marrë edhe Adës. Prandaj duhet të presim deri në fund të kësaj jave megjithëse e pranoj se kemi shumë pak shanse”- ka thënë ai për gazetën online www.shkodrasport.com. Pak kohë më parë ndërkohë, Krepi ka qenë në Australi dhe ka marrë një ofertë për të firmosur me skuadrën Heidelberg Eagles. Dëshira  e tij e parë ka qenë për t’i thënë “po” kësaj oferte por sot Krepi ka bërë të ditur edhe vendimin e tij për ta refuzuar atë.


Arsyet pse ka vepruar ashtu, ai i bën të ditura për gazetën tonë duke folur edhe për ofertat e tjera të ardhura në adresë të tij. “Kisha një ofertë për të shkuar në Australi por në fund i thashë “jo”. Ndjehem mirë në Shkodër, jam mësues i edukimit fizik pranë shkollës “Jordan Misja”, jam pedagog i jashtëm në Universitetin “Luigj Gurakuqi” e po ashtu jam nën kontratë me “Juban Danjën” për momentin. Për sezonin e ardhshëm, kam aktualisht tre oferta por nuk mund t’i bëj të ditura nga nuk është mirë sepse në këto ekipe punojmë trajnerë të tjerë që janë mirë dhe prandaj do t’i publikoj në momentin e duhur”- ka thëën trajneri i “Juban Danjës”. Në këtë mënyrë, Kreshnik Krepi pritet ta mbyllë këtë sezon me këtë ekip, me të cilën fitoi edhe Kupën e Shqipërisë, duke kërkuar një skuadër tjetër për karrierën e tij.Cila do jetë ajo? Të presim!

 

www.shkodrasport.com