Ka arritur rezultate të suksesesshme në boks. çdo herë që ka hypur në ring na ka befasuar. Gjithnjë ka dhuruar emocione në sfidat e tij dhe në të shumtën e rasteve ka dalë fitimtar. Bëhet fjalë për boksierin shkodran Kristian Demaj. Të gjitha këto në fakt i ka bërë pa mbushur ende 21 vjeç. Shumë kush ndoshta nuk e di e mund të habitet për moshën e tij të re e karrierën e pasur që ka. 21 shkurti është ditë e rëndëishme për të Kristianin sepse ai sot mbush 21 vjeç. Pikërisht në këtë 21-vjetor ka udhëtuar drejt Bullgarisë bashkë me trajnerin e tij Zef Gjoni e boksierin e talentuar Asmer Bilali në një turne që zhvillohet atje. Detyrimisht ditëlindjen do ta festojë me dy miq shumë të mirë trajnerin Gjoni e boksierin Bilali. Demaj për të parën herë do të hypte në ring në një moshë fare të re.

Që në hapat e tij të parë u dallua për talentin në sportin e boksit. Për ti dhënë një shtysë më shumë një tjetër shkodran me të cilin krenohemi, Sead Bushati do ta linte karrierën e tij si boksier pikërisht duke i veshur dorezat talentit Demaj. Që atëherë ky boksier asnjëherë nuk do të zhgënjente, përkundrazi shpërbleu besimin e të gjithëve duke e justifikuar nga viti në vit me fitore e suksese të njëpasnjëshme. Në Shqipëri është Kampion absolut në peshën e tij 90 kilogramë duke mos patur kundërshtar. Ka rrëzuar të gjithë rivalët që i kanë dalë përpara në të gjitha aktivitetet kombëtare. Suksesi i tij nuk mbetet vetëm brenda Shqipërisë. Ka arritur rezultate pozitive e medalje në turneun e përvitshëm “Doreza e Artë” që zhvillohet në Beograd. Një turne shumë i fortë dhe me një pjesëmarrje boksierësh cilësorë nga e gjithë bota. Të njëjtën gjë e ka bërë në jë tjetër turne të rëndësishëm siç është “Gongu i Artë” i cili zhvillohet në kryeqytetin e Maqedonisë në Shkup. Ndërkohë që është shpallur fitues i medaljes së artë në “Memorial Vllaznia 2011” që zhvillohet çdo vit në Shkodër në kujtim të figura të shquara të boksit shkodran që nuk jetojnë më. Po ashtu është fitues dhe gëzon titulli si boksieri më i mirë në shumë e shumë aktivitet e turne që janë zhvilluar vitet e fundit kudo në Ballkan. Ka provuar edhe në Kampionate Europiane e Botërore të kalojë turin e parë por pa shkuar më shumë, drejt zonës së medaljeve, ndoshta edhe nga mosha e tij e re dhe shkalla e madhe e vështirësisë në kompeticione të tilla të rëndëishme. është në moshën e tij më të mirë dhe një ditë beson se do ta bëjë realitet ëndrrën e tij për të sjellë në Shkodër medalje europiane apo botërore. Demaj sot ka një tjetër ambicie, të fitojë medaljen e artë edhe në Bullgari, ndoshta si dhurata më e bukur për ditën e tij të lindjes. Shkodrani është një boksier tepër i fuqishëm, luftarak, i shpejtë në ring, ka teknikë të lartë, qetësinë e duhur dhe gjithnjë bokson me maturi, aftësi të cilat e çojnë çdo herë tek suksesi. Në këtë 21-vjetor për Kristianin shkojnë urime të panumërta. Pjesë e urimeve padyshim që është edhe stafi i gazetës online www.shkodrasport.com. Duke i uruar suksese, sa më shumë medalje, trofe e rezultate pozitive në karrierën si boksier por edhe kudo në jetën e tij shumë thjeshtë urojmë: Gëzuar ditën e lindjes Kampion!