Kristiano Ronaldo shënoi sot golat e parë në kampionatin italian me Juventusin dhe menjëherë për futbollistin kjo nënkupton një rekord i ri.

Me dy golat e shënuar sot, ai arriti kuotën e 400 golave të shënuar në kampionatet europiane, pra kjo është shifra që ka realizuar në karrierën së bashku në kampionatin portugez, atë anglez, atë spanjoll e së fundmi italian.

CR7 kishte gjetur 3 herë rrjetën me Sporting Lisbonën, 84 me Mançester Junajtid dhe 311 herë me Real Madrid.

Tani ai vihet në ndjekje të pak futbollistëve që kanë realizuar shifra të ngjashme, pasi në Europë janë vetëm 4 futbollistë që kanë shënuar më shumë se ai.

Josef Bikan mban rekordin me 518 gola të realizuar në Austri dhe Republikën Çeke.

Më pas vjen Ferenc Pushkash me 514 gola, Methju MekGrori me 410 dhe Uve Zeler me 406. Këta të fundit, qartësisht objektiva mëse të arritshëm nga portugezi në një të ardhme të afërt.

Ndërkohë, në karrierë Ronaldo arriti kuotën e 678 golave, duke qenë i gjashti në renditjen e të gjitha kohëve, që gjithsesi mbetet e vështirë për t’u dokumentuar pasi ka gjithmonë polemika rreth numrit të golave të shënuar nga emra si Pele, Romario apo edhe vetë Bikan. /vipsport/