Tashmë është zyrtare që futbollisti shkodran, Belajdi Pusi do jetë pjesë e futbollit në Azerbajxhan. 24-vjeçari ka lënë Skënderbeun, për tu bashkuar me skuadrën e Turan. Ekip që militon në ligën më të lartë të futbollit azer dhe momentalisht ndodhet në vendin e 6-të të renditjes me 17 pikë.
Një lëvizje e parë kjo jashtë vendit për Pusin, ku pas ekperiencave me Vllazninë dhe Skënderbeun, ai transferohet jashtë. Një lëvizje që ka ardhur edhe si pasojë e punës së menaxherit, Alsid Tafili. Ish-mesfushori i Vllaznisë, tashmë me një rol të ri në karrierën e tij ka realizuar transferimin e rradhës.
Në bashkëpunim me kompaninë e menaxhimit, DvSportConsult, Tafili ka bërë të mundur këtë lëvizje. Pas lëvizjeve në verë që zhvilloi, Tafili duket shumë aktiv edhe në merkaton e janarit. Patjetër kjo lëvizje është e rëndësishme si për karrierën e Pusit, por edhe për Tafilin dhe bashkëpunëtorët e tij. Që dalëngadalë po bëhen protagonistë në botën e menaxhimit.
Megjithatë puna duket se nuk do ndalohet me kaq. Pasi lëvizje të tjera të rëndësishme priten për futbollistët për të cilët po kujdeset Tafili. Kujtojmë që ai në verë solli tek Vllaznia edhe një prej futbollistëve më të mirë të kampionatit siç është Esat Mala. E tashmë në të ardhmen po përgatiten edhe lëvizjet e rradhës.
Endri ÇINARI