Robert Levandovski do të kishte uruar një fillim ndryshe në “Camp Nou” dhe jo vetëm një barazim si ai 0-0 kundër Vajekanos.

Polaku ka shpenzuar 90 minutat e para në La Liga, por sikurse e gjithë Barcelona edhe ai nuk ka qenë në formën e vet më të mirë. Dhe kanë mjaftuar vetëm 90 minuta që në adresë të polakut të lëshohen kritikat e para, veçanërisht nga shtypi katalanas. Madje, në Spanjë kanë bërë një krahasim kurioz, teksa kanë marrë për bazë Bundesligën.

“Polaku mësoi shumë në ndeshjen e vet të parë, mësoi se ndryshe janë miqësoret e ndryshe është realiteti në La Liga”, ka komentuar gazeta e Madridit, “Marca”.

Më pas e njëjta gazetë ka vijuar: “Mësimi tjetër është se raporti tifozë-skuadër në Barcelonë është ndryshe. Këtu tifozët nxiten nga ndeshjet e mëdha jo nga përballje si ajo me Vajekanon.

Këtu nuk është Bundesliga, ndaj atij ju desh t’u kërkonte mbështetje tifozëve”. Gazeta “Mundo Deportivo” pranoi përpjekjet e Levës, por gjithashtu njohu pafuqinë në veprimet e sulmuesit:

“Ai ishte i lodhur, duke krijuar hapësira dhe duke e detyruar mbrojtësin e Rajos, Katena, të largohej nga pozicioni i tij. Por hapësirat e krijuara prej tij nuk i shfrytëzoi askush”.

Ndërkaq, për Levën dhe paraqitjen e tij të parë në Barcelonë e ka komentuar dhe gazeta tjetër katalanase, “Sport”.

“‘Blaugranat’ luftuan për të gjetur hapësirë dhe për të krijuar raste në pjesën e parë, në të cilën Levandovski kaloi pothuajse pa u vënë re”, ka komentuar kjo gazetë.

Ndërkohë, në ndryshim nga shtypi katalanas dhe ai spanjoll në tërësi, vetë trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, është shfaqur i kënaqur me punën që e bërë nga sulmuesi polak.

“Roberti ka bërë një punë mjaft të mirë, por kemi vuajtur efektivitetin në sulm”, ka thënë Ksavi.