Kroacisë i ka buzëqeshur fati i penalltive pasi në 120 minuta lojë nuk kishte asnjë fitues. Si pasojë, ballkanasit tani kanë avancuar dhe do të ndeshen me Rusinë në çerekfinale.

Sfida nisi me fishekzjarrë. Danimarka shënon gol që në minutën e parë pas një rrëmuje në zonën kroate e cila shfrytëzohet maksimalisht nga Jorgensen.

Por vetëm tre minuta më pas ishte Mario Mandzukic ai që barazoi rezultatin pas një tjetër rrëmuje, këtë herë në zonën e danezëve.

Ritmi mbeti i lartë teksa skuadrat luanin fort për çdo top. Mundësitë më të mira janë të kroatëve, teksa danezët mundohen të dalin në kundërsulm sa herë që u jepet mundësia. Por gola nuk ka më dhe pas minutës së 90’ ka përsëri kohë shtesë, ashtu si te Spanja me Rusinë.

Danezët janë më të freskët në kohën shtesë dhe u krijojnë jo pak probleme ballkanasve që mundohen të qarkullojnë topin sa më shumë por nuk kanë fuqi të tregohen të rrezikshëm në zonën kundërshtare.

Danimarka i ka kryer zëvendësimet më me vend dhe duket më e freskët në fushë, por një kundërsulm i kroatëve vendos Rebic vetëm për vetëm me portierin por pasi driblon portierin, Jorgensen i ndërhyn nga mbrapa duke shkaktuar penallti.

Por Schmeichel pret mrekullisht penalltinë dhe mban në lojë ekipin e tij. në 10 minutat e fundit të ndeshjes ishte Kroacia që provoi, edhe pas humbjes së penalltisë, por danezët u mbrojtën mirë dhe me pak fat shkuan te penalltitë.

Në fund, pas shumë penalltive të humbura, ishte Rakitic i Barcelona-s ai që i dha fitoren ekipit të tij duke kaluar në çerekfinale.