Vllaznia ka lënë pas kualifikimin për në gjysmëfinale të Kupës dhe tashmë e sheh veten në mes katër ekipeve që do të vijojnë më tej rrugëtimin për të fituar këtë trofe. Njeriu që i dha kualifikimin ndaj Korabit, mesfushori Arsid Kruja është pyetur në lidhje me ndonjë preferencë të mundshme për kundërshtarin e këtij turi.

“Janë të tre ekipe shumë të forta dhe ndonëse në pamje të parë Skënderbeu është një kundërshtar më i lehtë, në fushë është krejt ndryshe.

Si rrjedhojë nuk kam ndonjë preferencë të veçantë, por shpresoj që në gjysmëfinale të jetë sa më e lehtë për ne, ndonëse e kam të qartë se tashmë vështirësia është rritur shumë”- është shprehur numri 14 i kuqebluve duke folur për ndeshjen e ardhshme të Kupës.

Kruja ndërkohë është pyetur edhe në lidhje me takimin e rradhës për kampionat, atë që Vllaznia do të luajë ditën e dielë ndaj Kastriotit në Krujë për të cilën është shprehur:

“Kemi filluar prej ditësh përgatitjet për këtë sfidë shumë të vështirë. Do të kemi edhe dy mungesa të rëndësishme, por me ato lojtarë që do të kemi në dispozicion, do të përpiqemi dhe do të bëjmë maksimumin për të marrë trepikëshin”./SHKODRA-SPORT.COM/