Tërbuni më në fund shpërtheu. Fitorja 0-3 në Lezhë ka shtuar entuziazmin në radhët e pukjanëve. Nuk kanë munguar elozhet as nga presidenti Gjon Gjonaj.

Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën, kryebashkiaku shprehet: “Jam shumë i kënaqur nga kjo fitore. I kam falënderuar futbollistët për atë që treguan në fushë. Deri në mbyllje të kësaj faze kemi edhe katër takime për të luajtur.

Dëshira ime është që t’i vlerësojmë të gjitha si finale e të marrim pikët maksimale. Kjo do të arrihet me shumë punë e duke luftuar në fushë për rezultatin pozitiv.

Kemi një skuadër solide, të drejtuar nga një trajner korrekt si Elvin Beqiri. Në fundjavë presim Bylisin. Ballshiotët ndodhen me meritë në krye, por nuk mund të jenë të pathyeshëm. Shpresoj shumë që t’i mposhtim dhe kjo do të jetë surpriza e kampionatit”.