Kampionati skocez ka hyrë në fazën e fundit të sezonit, ndërkohë që ndryshe nga rastet kur Rejnxhërs e Sëlltik ishin rivalët kryesorë për titull, këtë vit është Hearts.
Pjesë e skuadrës skoceze është sulmuesi shkodran Sabah Kerjota i cili këtë sezon më kontribuon me skuadrën e tij. Në një intervistë të dhënë për “FSHF”-në në emisionin “Në Shtëpinë e Futbollit”, Kerjota ka folur për aventurën e tij në Skoci dhe kampionatin shqiptar, të cilin pranon se vazhdon ta ndjekë.
Me ekipin e Hearts, po kaloni një moment shumë të mirë, pasi ndodheni në vendin e parë të renditjes. Më trego pak si ka shkuar sezoni, duke nisur që nga fillimi e deri në këtë moment?
Të them të drejtën, është një sezon fantastik për skuadrën. Këtu në Skoci zakonisht fitojnë Rejnxhërsi dhe Sëlltiku, dhe prej 43 vitesh titulli shkon vetëm te këto dy skuadra. Ne jemi shumë të fokusuar për ta fituar kampionatin, pasi aktualisht jemi në vendin e parë që në shtator dhe na kanë mbetur edhe katër ndeshje. Do të bëjmë gjithçka për t’ia arritur.
Dy nga këto ndeshje janë pikërisht kundër rivalëve direkt, Rejnxhërs dhe Sëlltik. Madje, ndeshja e radhës është kundër Rejnxhërs, ku luan edhe lojtari shqiptar Nedim Bajrami. Ke pasur ndonjë komunikim me të apo me lojtarë të tjerë shqiptarë në kampionatin skocez?
Aktualisht është vetëm Bajrami që luan në Skoci. Me të nuk kam folur ende, por kur të përballemi në fushë, sigurisht që do të bisedojmë.
Më fol pak për kampionatin, cilat kanë qenë momentet kulmore dhe ato më të vështirat?
Ndeshjet më të vështira janë gjithmonë kundër Rangers dhe Sëlltik. Stadiumet e tyre, si Ibrox Stadium dhe “Celtic Park”, janë shumë të mëdha dhe të fitosh atje është diçka e jashtëzakonshme. Kampionati zhvillohet me tre faza dhe më pas kalon në “play-off”, ku marrin pjesë gjashtë skuadrat e para dhe përballen sërish me njëratjetrën.
Si je përshtatur me kampionatin skocez? Është një kampionat me intensitet të lartë, ndryshe nga ai italian ku ke luajtur më parë.
Unë kam luajtur në Itali dhe ndryshimi është shumë i madh. Në Itali kampionati është më shumë taktik dhe teknik, ndërsa këtu është shumë fizik dhe kërkon shumë vrapim. Është një diferencë e madhe krahasuar me ligat e tjera europiane.
Ke dhënë edhe kontributin tënd këtë sezon, me asistime të rëndësishme. Mund ta quash një sezon të mirë në planin personal?
Po, mund ta them që po. Unë vij nga Serie C në Itali dhe është një hap i madh të luash këtu dhe të gjesh hapësira. Ndeshja kulmore për mua ishte derbi i parë në “play-off”, ku dhashë dy asiste dhe ishte një kënaqësi e madhe.
Sabah, na trego pak për fillimet e tua. Je 24 vjeç dhe luan si sulmues i krahut të djathtë. Si e ke nisur karrierën?
E kam nisur në Shqipëri, ku kam luajtur që në moshë të vogël, nga 9 deri në 18 vjeç me moshat e Vllaznisë. Më pas u transferova në Itali. Isha me pushime në Shqipëri kur menaxheri më telefonoi dhe më tha se kishte një ofertë nga Skocia. Të them të drejtën, si shumë shqiptarë, njihja vetëm Rejnxhërs dhe Sëlltik. Por kur erdha këtu, kuptova që edhe Hearts është një klub me shumë traditë, me stadium gjithmonë plot, rreth 20 mijë tifozë. Ishte një zgjedhje shumë e mirë për mua.
Si e sheh të ardhmen tënde?
Siç themi në Shkodër, gjithmonë shohim për më mirë. Jam shumë i lumtur këtu, por gjatë verës do të shohim se çfarë do të ndodhë.
Të ndalemi pak te Vllaznia, ku ke luajtur më parë. E ke ndjekur këtë sezon duke qenë në garën për titull në Superiore?
Po, e ndjek sa herë që kam mundësi. Për Shkodrën, Vllaznia është shumë e rëndësishme dhe këtë vit janë shumë afër titullit. Skuadra është shumë e mirë, por edhe rivalët si Elbasani dhe Egnatia janë në të njëjtin nivel. Shpresoj që pas shumë vitesh ta fitojnë titullin.


