Më në fund, Arturo Rexhinaldo ka mbërritur në Shqipëri dhe është bashkuar me skuadrën në Pogradec. Sulmuesi nga Mozambiku është nën kontratë me Dinamon, por që pas mbylljes së sezonit të shkuar kishte shkuar në vendin e tij.

Rikthimi i tij ishte vënë në pikëpyetje, edhe pse në klubin kryeqytetas gjithë kohën e kanë konsideruar pjesë të skuadrës, duke pasur parasysh kontratën që lojtari ka firmosur. E njëjta situatë është edhe me mesfushorin Lansinet Sidibe, por ky i fundit ende nuk ka vendosur të bashkohet me skuadrën kryeqytetase.

Ashtu si në merkaton e janarit, kur erdhi te Dinamo me deficite në aspektin fizik, edhe tani Rexhinaldo duhet të rikuperojë kohën e humbur, pasi është shumë prapa nga shokët, sa u takon përgatitjeve verore. Për aq sa luajti në kampionatin e fundit, sulmuesi afrikan nuk arriti ta gjente asnjëherë rrugën e rrjetës me fanellën e Dinamos. Me rikthimin e Rexhinaldos shtohet numri i sulmuesve te blutë, ku aktualisht bëjnë pjesë edhe Taulant Marku, Patrik Bardhi, Denison, Diogo, Françesko Daija, Silvio Vokrri apo dhe Redon Danaj. Megjithatë, merkatoja nuk është mbyllur dhe deri në fund mund të mbërrijë edhe ndonjë sulmues tjetër qendre.

DIOGO-DENISON, “LEVA” BRAZILIANE

Me paraqitjen e bërë në miqësoret e deritanishme, dy sulmuesit brazilianë pritet të jenë faktor te blutë. Të paktën me atë që kanë treguar në miqësoret e luajtura deri tani. Denison duket se ka gjetur formën pas zhgënjimit që pësoi në fundin e sezonit të shkuar, kur Vanoli e gozhdoi në stol. Ka shënuar dhe mbi të gjitha ka gjetur kiminë me patriotin e tij Diogo.

Dy brazilianët merren vesh shumë mirë me njëritjetrin në lojë dhe gjasat janë që të jenë një “levë” e fortë për ngjitjen e bluve në Superiore. Denison pritet të jetë padron i krahut të majtë, kurse Diogo luan pas sulmuesit kryesor, por edhe djathtas. Me teknikën e tyre pritet që dy brazilianët të lënë gjurmë në Kategorinë e Parë. Klubi i ka nën kontratë dhe i konsideron pjesë të rëndësishme të projektit për rikthimin në Superiore.