Ditë të vështira dhe plot dilema për Leonardo Bonuccin. Pas përfundimit të aventurës së gjatë me Juventusin, mbrojtësi i njohur italian ndodhet pa ekip.

Disa skuadra kanë dalë në skenë, si Lazio apo Ajax, por ende asnjë marrëveshje. Së fundmi është përfolur edhe për një transferim të mundshëm te Fiorentina.

Ndërkohë që Union Berlin po tenton ta joshë për të luajtur në Bundesliga dhe… Champions League. Kompeticion ku do të garojë skuadra kryeqytetase.

Ide që e tundon jo pak 36-vjeçarin. Agjenti i tij po bisedon me drejtuesit e klubit gjerman dhe së shpejti mund të kemi një akord mes palëve.

Me Unionin që do të siguronte një tjetër përforcim të rëndësishëm në prapavijë nga Serie A pas Robin Gosens.

Bonucci ka një eksperiencë të madhe mbi supe. Shumë trofe të fituar me Juventusin, klub ku kaloi 12 sezone në total.

Ndërkohë që mban shiritin e kapitenit në kombëtaren e Italisë. Fanellën e kaltër e ka veshur 121 herë. Dhe në tetë raste ia ka dalë të shënojë.

Nëse gjen gjuhën e përbashkët dhe firmos me Union Berlin, kjo do të ishte aventura e parë jashtë Italisë për Bonuccin.