Kukësi e nisi me një barazim aventurën e parë të këtij sezoni në Superiore ndaj Tiranës, një rezultat ky që shihet me optimizëm në kampin verilindor. Megjithatë, një tjetër provë “zjarri” është ajo ndaj Vllaznisë këtë fundjavë në transfertë, një kundërshtar direkt sa u përket objektivave që ka klubi kuksian.
Skuadra e trajnerit Skënder Gega do të nisë sot edhe përgatitjet për javën anti-Vllaznia, me shkodranët që vijnë të etur për pikën e parë në kampionat, pas humbjes në start ndaj Egnatias. Megjithatë nga ana tjetër, Kukësit nuk po i ndahen problemet me dëmtimet në këtë start kampionati, me Gegën që përveç “stresit” për të integruar afrimet e reja, duhet të mendojë edhe për futbollistët me dëmtime.
Arbër Basha nuk llogaritet deri në dhjetor, ndërsa Shqiprim Taipi me Redon Dragoshin vijojnë të mos jenë ende gati për skuadrën. Këtyre futbollistëve u është bashkuar edhe mbrojtësi Tarik Isiç, i cili para ndeshjes me bardheblutë ka pësuar një tërheqje dhe mbetet për t’u vlerësuar se sa do të qëndrojë jashtë fushave.
Nga ana tjetër, me shkodranët do të mungojë edhe sulmuesi Klejdi Daci, për shkak të kartonit të kuq që mori me Tiranën, teksa shpresohet që të mos ketë dënim edhe nga disiplina. Me pak fjalë, para sfidës me Vllazninë, te Kukësi nuk janë të plotë, edhe pse gjatë javës mund të ketë rikuperime.
Maringlen ZHIVANI