Vllaznia e femrave ka siguruar përsëri praninë në play-off të Ligës së Kampioneve dhe do të tentojë arritjen historike të sigurimit të një vendi mes 16 ekipeve më të mira në kontinent. Kampionet rekordmene të Shqipërisë, do të kenë një mundësi më të mirë në këtë edicion, pasi këtë radhë renditen në short në vazon e skuadrave të forta.

Falë sukseseve në vite, vajzat kuqeblu kanë siguruar koeficientin 14.400 në renditjen e UEFA-s për klube e kësisoj, pozicionohen në vazon e skuadrave të forta në short. Nuk është rastësi, pasi ky koeficient aktualisht e pozicionon Vllazninë si skuadrën e 35-të në renditjen e klubeve në UEFA, një arritje e jashtëzakonshme për klubin shkodran.

Kështu, në vend që të ndeshet me rivalë si Juventusi që kishte kundërshtar një vit më parë, Vllaznia do të tentojë të shkruajë historinë me ekipe më të lehta në letër.

Në shortin që hidhet më datë 1 shtator, Vllaznia do të ketë si kundërshtare njërën mes skuadrave të SFK 2000 Sarajevo, Vorskla-Kharkiv-2, HB Koge, Valur, Bran, Rejnxhërs dhe KuPS Kuopio.