Pak kohë më parë, në media u bë publike oferta prej 500 mijë eurosh e një klubi korean në adresë të Kukësit për të marrë shërbimet e sulmuesit të saj Sindrit Guri.

Presidenti Gjici e refuzoi atë por gjithashtu edhe vetë lojtari nuk e kishte ndër mend të largohej aq larg.

Dëshira e tij ishte të qëndronte në Europë. Por në fakt, kukësianët mësohet të kenë patur edhe një ofertë tjetër shumë të mirë.

Një nga tre klubet më të njohura të Portugalisë, i ka ofruar 400 mijë euro Kukësit për Gurin.

Njëkohësisht edhe 20 për qind të rishitjes së tij. Propozimi i bërë përmes një menaxheri shqiptar që përfaqëson një studio të huaj shumë të njohur, nuk u mor për bazë nga drejtuesit e Kukësit.

Ideja ishte që sulmuesi shkodran të kalonte në verë në Portugali. Për momentin një ofertë e tillë u refuzua por në verë mund të ndodhin sërish gjëra të reja dhe ajo mund të përsëritet.
© shkodrasport.com