Në “Elbasan Arena” do të luhet një finale e vërtetë për zonën evropiane, me Kukësin dhe Vllazninë që do të matin forcat në një sfidë tepër të rëndësishme. Verilindorët vijnë pas humbjes 5-0 ndaj Partizanit dhe kërkojnë që ta harrojnë atë përballje që zhvilluan në “Air Albania”.

Por në anën tjetër skuadra ka diçka për të rregulluar, pasi humbje të thella ka pësuar dhe nga Tirana e Laçi e përballë do të kenë një tjetër rival direkt. Një tjetër rezultat negativ do t’i ndërlikonte shumë pozitat e të besuarve të Diego Longos, që ndiejnë presionin e kundërshtarit të radhës, me të cilin ndajnë vendin e tretë në renditje.

Shkodranët, në anën tjetër, kanë treguar se janë një ekip më i qëndrueshëm, por takimi me Dinamon u ka lënë shumë pasoja kuqebluve. Erdenis Gurishta, Mevlan Adili dhe Fjoart Jonuzi nuk do të jenë të disponueshëm për këtë takim, për shkak se kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Per kete arsye trajneri Tomas Brdaric ka shumë punë për të ndërtuar formacionin titullar ndaj një kundërshtari që këtë edicion nuk e ka mundur asnjëherë: është mundur 2-0 në Rrogozhinë dhe ka barazuar 1-1 në shtëpi.

Kukësi kërkon një sukses për të shmangur krizën, pasi do të humbiste vendin e tretë të renditjes, ndërsa në anën tjetër Vllaznia kërkon vazhdimësinë e ndeshjeve pozitive, teksa ka vetëm 1 humbje në 16 ndeshjet e fundit në Abissnet Superiore.