Prej tre ditësh, Arben Parmeza ka marrë drejtimin e ekipit Vllaznia U14. Në këtë mënyrë, ai ka mbyllur këtu edhe rrugëtimin në krye të ekipit të femrave të KF Murlanit që e ka drejtuar më përpara.
Largimi i tij ka bërë që drejtuesit e klubit të Murlanit të nisin punën për gjetjen e zëvendësuesit të tij. Për momentin nuk ka emër, por burime pranë kësaj skuadre bëjnë të ditur se trajneri i ri tashmë është “piketuar”.
Emri i tij do të zbulohet në ditët në vijim edhe ngaqë shumë shpejt ky ekip do të nisë përgatitjet për kampionatin e ri. Në fakt sa i takon këtij të fundit, ka shumë paqartësi se si do të organizohet, ngaqë mendohet të ketë ndarje në dy kategori.
Kjo ka krijuar një pasiguri tek disa skuadra për të ardhmen e tyre dhe mënyrën si do të ndërtohen. Kujtojmë që sezonin e kaluar Murlani mori edhe katër lojtare braziliane në përpjekjet për të krijuar një ekip kompetitiv.
Por nëse për sezonin e ri do bëhet një ndarje në kategori Superiore dhe kategori të parë (dhe Murlani mund të jetë tek kjo e fundit), natyrisht që drejtuesit nuk do të kenë motiv për të investuar dhe prandaj çdo gjë duket se është pezull edhe për disa ditë./SHKODRA-SPORT.COM/