Wednesday, May 20, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLEsmerin Kukaj, ish- portieri që u bë arbitër futbolli. 24 vjeçari, shumë...

Esmerin Kukaj, ish- portieri që u bë arbitër futbolli. 24 vjeçari, shumë ambicioz për të ardhmen e tij në arbitrim

Ka shumë të rinj që e nisin plot pasion futbollin, por me kalimin e viteve duke parë që ndoshta nuk arritën atë çfarë deshën, preferojnë ta braktisin këtë sport. Ka edhe të tjerë që vendosin të jenë sërish pranë tij, por këtë herë në pozicione të tjera dhe njëri prej tyre është ai i arbitrit.

Pikërisht këtë rrugë ka ndjekur prej dy vitesh edhe ish- futbollisti i Veleçikut Esmerin Kukaj. Pas 3 vitesh e gjysëm duke luajtur me këtë ekip në rolin e portierit, e pa që nuk do të kishte të ardhme mes trarëve të portës dhe vendosi t’i futet fushës së arbitrimit. Menjëherë ai gjeti të gjithë mbështetjen e drejtuesve të Kolegjiumit të Shkodrës të cilët i hapën dyert dhe ai tashmë është pjesë e tij.

Kohët e fundit, Kukaj u diplomua si pjesë e Akademisë së gjashtë të Arbitrimit dhe kjo e ka motivuar edhe më shumë për të vijuar në këtë rrugë. Aktualisht drejton ndeshje të kampionateve të moshave deri tek U19, por në sezonin që po mbyllet tashmë, ka drejtuar edhe 5 ndeshje në kategorinë e tretë të futbollit shqiptar, pra me të rriturit. Dhe ajo çka është më rëndësishmja, ka të bëjë me faktin se të gjitha i kanë shkuar mirë dhe ka marrë vlerësime pozitive.

Esmerini e ka marrë me shumë dëshirë këtë profesion të ri dhe ajo çka duhet përmendur është se falë tij tashmë pjesë e arbitrimit janë edhe dy djem të tjerë të rinj nga qyteti i Koplikut, pikërisht Mirjan Peraj dhe Besart Meti duke formuar një treshe që po bën mirë dhe kjo është diçka pozitive.

Me mbështetjen që ka nga kryetari i Kolegjiumit të Shkodrës Dritan Salaj, por edhe me punën që bën, Esmerin Kukaj me shumë siguri do t’i ngjisë shumë shpejt shkallët e karrierës dhe gjasat janë që ta shohim në një të ardhme të afërt ta shohim fillimisht duke arbitruar në kategorinë e dytë.

Kuptohet që arbitrimi shkodran dhe shqiptar ka nevojë për djem të tillë të rinj të shkolluar, ish- sportistë dhe me shumë pasion për të ecur në këtë rrugë. Dhe Esmerin Kukaj mund të jetë njëri prej tyre. Megjithatë është vetëm fillimi dhe ai duhet të vazhdojë kështu, të punojë fort nëse dëshiron të arrijë atë se çfarë ka në mendje.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments