Armando Broja padyshim që ka patur një vit të parë mjaft interesant si protagonist në Premier Ligë. Futbollisti i huazuar nga Çelsi te Sauthempton tregoi se mund të luante si titullar në këtë kampionat dhe ra në sy me paraqitjet e tij, duke ndihmuar skuadrën që të siguronte shpejt një mbijetesë të qetë në elitë.

Padyshim një goditje e mirë për Sauthempton, që vendosi të besonte te sulmuesi i ri shqiptar edhe pse ky i fundit vinte nga vetëm një edicion si profesionist në kampionatin holandez me Vitesen. Kjo zgjedhje është vlerësuar nga portali “The Boot Room”, i cili ka përzgjedhur Brojën në 11-shin ideal për kampionatin anglez mes lojtarëve të cilët janë në formë huazimi në skuadrat aktuale.

Një formacion i cili ka shumë yje, si Areola, Kulusevski apo Kutinjo, e ku Broja pozicionohet në majën e sulmit. “’Shenjtorët’ firmosën me shqiptarin e fuqishëm nga Çelsi në një huazim për një sezon në fillimin e gushtit.

Futbollisti 20-vjeçar ka shënuar 9 gola në të gjithë kompeticionet në këtë sezon dhe padyshim do të dëshirojë të dijë se ku qëndron në planet e Tomas Tuhel në edicionin e ardhshëm. Sauthempton është i interesuar që të blejë futbollistin përfundimisht, por mund të përballet me konkurrencë nga emra si Arsenal apo Borusia Dortmund”, shkruan portali në fjalë duke shpjeguar zgjedhjen që ka bërë për sulmuesin.

FORMACIONI I HUAZIMEVE:
Areola (Uest Hem), Uilliams (Noruiç), Kabak (Noruiç), Romero (Totenhem), Target (Njukasëll), Gilmor (Noruiç), Galager (Kristal Palas), Kulusevski (Totenhem), Kutinjo (Aston Vila), Lukman (Leister), Broja (Sauthempton).