La Liga ka ngritur si parin e edicionit të saj numër 93 me takimin mes Osasunës dhe Seviljes. La Liga edhe në këtë edicion të ri është kthyer e zhurmshme, duke ngjallur mjaft interes. Por natyrisht që nuk është më ai kampionati me të cilin mburreshin spanjollët: kompeticioni më i mirë në botë. Fuqia financiare e ligave të tjera, veçanërisht Premierit në Angli, ia ka hequr këtë pozitë të privilegjuar kampionatit spanjoll.

Nga Spanja janë larguar lojtarë që nuk duhej të ishin larguar: Diego Karlos, Guedes… edhe pse nga ana tjetër janë afruar mjaft emra domethënës: Tçoumeni, Levandovski, Rafinja, Rydiger… La Liga përballet me mjaft problematika që shqetësojnë në këtë sezon të ri, problemet financiare të klubeve, vonesa në bërjen e punëve si duhet, burokracira të tjera që dëmtojnë reputacionin e kampionatit spanjoll. Këto vështirësi nuk u shfaqën tani, ato shkojnë shumë prapa në kohë, janë akumuluar me vite, ndaj debati është me siguri më i rëndësishëm se kurrë.

Diçka do të duhet bërë me këto shqetësime. Por pavarësisht problematikave, La Liga nuk e ka humbur kurrsesi prestigjin e saj dhe në start premton të rivalizojë për të qenë më e mira. Dy gjigantët e pashembullt në skenën e futbollit përzihen në mënyrë perfekte duke premtuar një sezon krejt ndryshe nga ai që lamë pas.

Suksesi i Realit në Ligën e Kampioneve në sezonin e kaluar është tregues se shkëlqimi i kampionatit spanjoll mund të jetë zbehur disi, por kurrsesi nuk ka humbur. Te Ksavi e Levandovski perceptohet iluzioni për një sezon ndryshe; Reali dhe Ançeloti vazhdojnë të përjetojnë “vitin e mjaltit”; Atletiko ka bërë një prag sezoni të shkëlqyer, duke treguar se ulje-ngritjet e sezonit të kaluar i përkasin së shkuarës. Nuk mund të lihen pas Sevilja e Lopeteguit apo Betisi fitues i Kupës së Mbretit sezonin e shkuar.