Marash Kumbulla e nisi ditën 29 prillit me lajmin e madh teksa iu premtua vendi i titullarit përballë Milanit dhe shqiptari e nisi nga minuta e parë ndeshjen përballë tifozëve të tij në Olimpico. Mirëpo, kohëzgjatja e tij në fushë do të ishte vetëm 15 minuta teksa një përplasje me Olivier Giroud do të sillte dëmtimin e tij që do ta largonte nga fusha.

Dukej e rëndë që në pamje të parë por konfirmimi vjen nga ekzaminimet mjekësore.Mbrojtësi i Kombëtares ka këputur ligamentin e përparmë të gjurit dhe mjekët e kanë detyruar për një operacion kirurgjikal.

Një dëmtim i tillë konsiderohet si më i rëndi për një futbollist teksa koha e zakonshme e rikuperimit është rreth 6 deri në 8 muaj pas operacionit.

Në këtë mënyrë, 24 vjeçari mbyll jo vetëm këtë sezon por edhe të gjithë vitin kalendarit 2023 dhe do të rikthehet në fushat e lojës pas janarit 2024./newsport/