Vllaznia e mbylli fazën e dytë në vendin e tretë me 28-pikë, duke qenë gjashtë pikë larg kreut. Megjithatë, shqetësimi më i madh i stafit teknik dhe trajnerit Mirel Josa në këto dy faza ka qenë padyshim situata me dëmtimet.

E njëjta gjë duket se do të vijojë edhe në ndeshjen e nesërme ndaj Erzenit, teksa Vllaznisë do t’i mungojnë as më pak e as më shumë, por pikërisht pesë futbollistë. Kështu, bëhet fjalë për Liridon Latifin, Darko Bulatoviç, Lorik Boshnjakun, Ante Aralicën dhe Marko Juriç, ndonëse dy prej tyre e kanë filluar tashmë stërvitje, pikërisht Latifi dhe Bulatoviç.

Mungesa të tilla kanë bërë që trajneri Josa jo rrallëherë të modifikojë skuadrën, madje edhe të improvizojë me pozicionet e disa futbollistëve, teksa reparti i mbrojtjes ka qenë më i prekuri në këto dy faza dhe një gjë e tillë duket se do të vijojë sërish.

Pengesa e rradhës tashmë është Erzeni, me të cilën shkodranët do të ndeshen mbrëmjen e nesërme. Realisht, trajneri Josa pritet të bëjë disa ndryshime në formacion për takimin ndaj Erzenit, teksa e veçanta dhe ajo që bie në sy do të jetë aktivizimi si titullar i sulmuesit shkodran Bekim Balaj.

Kështu, në portë do të jetë gardiani Bojan Zogoviç. Në qendër të mbrojtjes, kapiteni Erdenis Gurishta do të formojë dyshen me Dajan Shehin.

Sërish në të djathtë të mbrojtjes do të luajë Geralb Smajli, i cili mesa duket po bind trajnerin Josa me performancën e tij në këtë pozicion të fushës, pasi 20-vjeçari po luan në rolin e tij natyral. Ndërkohë, nga ana tjetër, në të majtë do të vijojë që të jetë Esin Hakaj.

Me skemën 4-3-3, në qendër të mesit të fushës do të luajnë Heriç, Alivoda dhe Jonuzi, me Markun që ulet në stol për mesfushorin boshnjak. Ndërkohë, në majë të sulmit për herë të parë këtë sezon do të luajë Bekim Balaj në vend të sulmuesit brazilian Kaina që do ta nisë nga stoli.

Në krahët e ofensivës të sigurtë duket se janë Mala në të djathtë dhe Hoxhaj në të majtë. Kjo do të jetë edhe 11-shja që trajneri Mirel Josa pritet të hedhë në fushë nesër në Durrës.

Ndeshja Erzeni-Vllaznia do të luhet mbrëmjen e nesërme në stadiumin “Niko Dovana”, duke nisur nga ora 19:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalet e platformës “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/

Formacioni i Vllaznisë (4-3-3): Zogoviç, Smajli, Gurishta, Shehi, Hakaj, Heriç, Alivoda, Jonuzi, Mala, Balaj, Hoxhaj Tr: Mirel Josa