Vllaznia ka zhvilluar sot ditën e fundit të përgatitjeve për përballjen e parë të 2023 në Shkodër. Ata do ta startojnë këtë ndeshje në shtëpinë e tyre përballë Laçit dhe natyrisht pritet që skuadra ta nisë me këmbë të mbarë.

Për këtë duket se po mendon trajneri Mirel Josa. Nga sa është shikuar në këto ditë të fundit të përgatitjeve, pavarësisht se pranë skuadrës ka mbërritur edhe një afrim i ri, siç është Bekim Balaj, sërish për përballjen me laçianët, trajneri Josa mësohet se do t’u besojë pikërisht futbollistëve që ka stërvitur që nga pjesa e parë e sezonit.

Kështu, nisur nga kjo, trajneri Josa edhe për takimin me Laçin, do t’i besojë formacionit që startoi takimin e javës së kaluar ndaj Partizanit, me përjashtim të një ndryshimi. Nga sa është parë, Dajan Shehi do ta nisë nga stoli dhe në vendin e tij pritet të jetë Marko Juriç, i rikthyer nga pezullimi me kartonë.

Kështu, në portë do të jetë Zogoviç. Në mbrojtje katërshja e përbërë nga Smajli nga e djathta, kapiteni Gurishta e Juriç në qendër dhe nga e majta Hakaj. Në mesin e fushës pritet që të jetë treshja Jonuzi, Alivoda dhe Marku.

Pas Kainës që pritet ta nisë këtë ndeshje si titullar, pritet që të jenë në krahë Mala dhe Hoxhaj. Megjithatë, deri ditën e nesërme, Josa mund të ketë ndonjë lëvizje tjetër, por gjasat janë të pakta. Ndeshja Vllaznia-Laçi do të luhet ditën e nesërme në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 16:00 dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/

Formacioni i Vllaznisë (4-3-3): Zogoviç, Smajli, Gurishta, Juriç, Hakaj, Jonuzi, Alivoda, Marku, Mala, Kaina, Hoxhaj Tr: Mirel Josa