Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mesditën e sotme në Durrës, pasi ka humbur jetën një 18-vjeçar i cili kishte hyrë në det për të ndihmuar vëllain e tij dhe një shok që po rrezikoheshin nga dallgët.

Anri Kashiku, futbollist i AK Shqiponjat 2017, pasi pa së dallgët e mëdha rrezikonin jetën e vëllait të tij 15-vjeçar dhe një shoku që kishin hyrë të laheshin, u fut me një pedalon për t’i ndihmuar.

Kur edhe mjeti filloi të zhytej, ai shkoi me not dhe i shtyu drejt bregut, duke u shpëtuar jetën atyre. Por më pas nuk ia doli vetë të shpëtonte nga dallgët, duke u zhdukur në det.

Policia u lajmërua për zhdukjen e të riut dhe nisi kërkimi i tij në det ndërsa pak më vonë, u lajmërua se Shërbimet e Policisë Kufitare kishin gjetur trupin e të ndjerit, 20 metra larg bregut.