Një ndër përforcimet me peshë të merkatos së Egnatias është padyshim portieri shkodran, Alen Sherri. Ai vjen pas një përvoje te Laçi dhe gjen një tjetër gardian tek Egnatia si Bruno Puja, po kaq në formë, që sezonin e shkuar bëri paraqitje të shkëlqyera.

Gardiani shkodran çmon grupin, por tregohet i kujdesshëm teksa shprehet se Egnatia duhet të punojë fort e qëndrojë me “këmbë në tokë”.

Një portier si Sherri, pati oferta të tjera përpos Egnatias?

Po, është e vërtetë që kam pasur oferta të tjera. Krahas tyre ishte dhe Egnatia që më bëri ofertë dhe kur u ula me presidentin Demrozi, u befasova nga korrektesa dhe mirësia e tij. Natyrisht se ai më njohu me objektivat e klubit dhe merkaton. Më bindi ky projekt dhe pranova pa hezitim të vishja fanellën e Egnatias.


Ndërkohë stërvitjet kanë filluar. Si ndihet Sherri dhe grupi?

Jemi akomoduar në kushte ideale dhe moti na favorizon shumë këtu. Edhe terreni stërvitor është ideal dhe ne po djersijmë fort që të përfitojmë sa më shumë. Jemi të gjithë të rinj me ambicie e “ego” për të marrë maksimumin në këtë periudhë.

Ndërkohë që do keni konkurrencën edhe të Bruno Pujës që vjet luajti titullar tek Egnatia?

Puja është një portier i talentuar dhe me të ardhme. Dhe normalisht rivaliteti në futboll është mjaft i rëndësishëm. Unë i di vlerat e mija dhe atë çfarë kam shfaqur gjithë këto sezone në Superiore. Shpresoj të bëj një vit sa më të mirë, që të më shërbejë si trampolinë në karrierë për të ardhmen në një kampionat më të fortë.


Nisur nga ajo çfarë shihni ju, deri ku mund të arrijë kjo Egnatia?

Presidenti ka investuar shumë, duke afruar shumë futbollistë me përvojë. Nisur nga investimi, mendoj se synimet janë madhore. Nga përvoja ime, Egnatia duhet të qëndrojë me këmbë në tokë e të punojmë fort kokulur. Nëse secili do të japë më të mirën e tij, mendoj se Egnatia do t’i surprizojë të gjithë.