Quhet Marcelo Moreno, është 34 vjeç, luan si sulmues dhe po udhëheqë kombëtaren modeste të Bolivisë me golat e tij. Për shumë kënd është i panjohur, por në shtetin amerikano-latin është një legjendë e futbollit dhe kapiteni i përjetshëm i kombëtares. Patjetër që edhe karriera e tij është e pasur me aktivizimet në klubet e njohura braziliane si: Flamengo, Gremio apo edhe Cruzerio.
Në Europë ka shijuar disa aventura në disa shtete me skuadra si Shakhtar në Ukrainë, Wigan në Angli dhe Werder Bremen në Gjermani. Udhëtimi i tij i futbollit do vijonte edhe në Azi me qëndrimin atje për më shumë se 5 sezone në skuadra të ndryshme kineze.
E tashmë në vitet e fundit të karrierës është rikthyer tek Cruzerio në Brazil. Por Moreno po mban gjallë ëndrrat e një kombi të tërë për një kualifikim të Bolivisë në kupën e botës, Katar 2022. Bolivia nuk ka marrë pjesë në botëror që nga viti 1994.
Por shpresat janë të mëdha për Bolivinë ku në 4 ndeshje që kanë mbetur për zonën e Amerikës së Jugut, “jeshilët” janë totalisht në garë. Kjo pasi kanë grumbulluar 15 pikë dhe janë vetëm 2 pikë larg Kolumbisë në vendin e 4-ët. Vend që garanton edhe kualifikimin direkt në Botërorin Katar 2022.
Dhe Moreno është figura qëndrore e kësaj kombëtareje ku me 9 golat e tij është kryegolashënuesi i zonës së Amerikës së Jugut. Madje duke lënë pas edhe emra të mëdhenj të futbollit botëror si Messi, Neymar, Suarez apo Cavani. Epo mrekullitë ndodhin shpesh në futboll, e nuk i dihet ndoshta Morenon dhe Bolivinë e tij mund ti shikojmë në Botëror pas 1 viti.
Përgatiti: Endri ÇINARI