Nderimi që Bashkia Shkodër dhe Sportklub Vllaznia u bënë gjimnastëve më të mirë në gjithë historinë 100 vjeçare të këtij klubi, padyshim që ka lënë emocione dhe mbresa tek të gjithë ata.

Njëri nga të nderuarit ka qenë edhe presidenti aktual i Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, Leonard Lulaj. Ai ka qenë pjesë e një brezi të shkëlqyer gjimnastësh të viteve ’80 bashkë me Benjamin Naku, Artur Malile, Ilir Bilali, Përparim Sefa dhe Skënder Frexha.

Në një prononcim për “Shkodra Sport”, i pyetur se çfarë ka qenë për të përfaqësimi i emrit të Vllaznisë, Lulaj përgjigjet:

“Vllaznia është një emër i madh dhe ta përfaqësoje atë, padyshim që ka qenë një kënaqësi e madhe. Njëkohësisht edhe një sakrificë sepse duhej ta bëjë medoemos të denjë fanellën e saj.

Ne kemi qenë një brez i ri, i përkushtuar për të bërë sport, shumë të disiplinuar dhe të angazhuar në të gjitha klasat sportive, e më pas për të vijuar deri me të rriturit kur kemi patur dy ekipe paralele kur garat e kontrollit ishin një kampionat më vehte.

Prej kësaj pune të palodhur kanë ardhur edhe rezultatet, falë edhe përkushtimit të trajnerëve tanë. Kuptohet që për secilin prej nesh është kënaqësi e madhe që u nderuam nga Bashkia Shkodër dhe Sportklub Vllaznia, me rastin e 100 vjetorit të këtij klubi”- ka thënë Lulaj.
Gjergj KOLA