Skuadra e Leverkusen ka mundur sot me shifrat 2-0 Shtutgartin, duke iu larguar vetë zonës së turbullt të renditjes, e duke zhytur në vendin e fundit 5 herë fituesin e Bundesligës që duket në krizë të thellë.

Golat e Volland, të dy pas asisteve të talentit Kai Havertz, ia bënë të thjeshtë Leverkusenit fitoren që i jep fund serisë prej 2 humbjesh radhazi.

Por ajo që ra në sy në këtë sfidë ishte se në radhët e skuadër humbëse, në stolin e rezervave ishte ulur edhe një adoleshent shqiptar të cilit në këtë ndeshje nuk iu dha mundësia që të tregonte vlerat e tij.

Leon Dajaku, sulmuesi 17-vjeçar shqiptar ulej në pankinën e Shtutgartit për herë të parë në karrierën e tij, edhe pse ishte stërvitur shpesh me skuadrën e Bundesligës.

Dajaku ka qenë pjesë e përfaqësueses U17 të Gjermanisë dhe shihet si një element me shumë perspektivë për të ardhmen. Ndaj kubi vendosi që ai të kalojë nga akademia me ekipin e parë fillimisht për stërvitje, e tani pritet që t’i japë mundësinë të tregoj vlerat edhe në fushën e lojës në një sezon ku duket sikur po përgatitet për rënien në Bundesligën 2, pasi ka mbetur në fundin e tabelës së klasifikimit. /vipsport/