Bien pistat kosovare për Vokli Laroshin.

Ish-portieri i Partizanit, fill pas zgjidhjes së kontratës me të kuqtë, ishte një ndër emrat më të lakuar në merkato, teksa interesim për të patën shfaqur, përveç ekipeve të “Abissnet Superiore”-s dhe Kategorisë së Parë në vendin tonë, edhe ato nga elita e futbollit kosovar.

Gazeta mëson se ishin dy skuadra që ishin interesuar për shërbimet e tij, madje palët ishin ulur në tryezë, por kur pritej zyrtarizimi, ato kanë pasur ide të ndryshme sa i përket kontratës.

Pikërisht për këtë arsye, nuk është gjetur konsensusi dhe gardiani i Shpresave është aktualisht një lojtar i lirë në merkato dhe e ardhmja e tij vendoset këto ditë.

RIKTHIMI TE TURBINA

21-vjeçari spikati më herët tek ekipi i vendlindjes së tij, Turbina, për të bërë më pas edhe hapin e madh në karrierë, siç ishte Partizani, sezonin e kaluar.

Për dy vite te cërrikasit, Laroshi zhvilloi paraqitje shumë të mira dhe dha një kontribut për arritjen e objektivave të skuadrës, siç ishte mbijetesa.

Në saj të paraqitjeve, fitoi besimin e teknikut të Shpresave, Alban Bushi, i cili e aktivizoi edhe në ndeshjet me Kombëtaren U-21.

Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë kampit cërrikas pohojnë se 21- vjeçari është shumë pranë rikthimit te skuadra mëmë.

Gjatë këtyre ditëve ka pasur diskutime dhe të dyja palët duket se e mirëpresin një rikthim, me Laroshin që pritet të gradohet sërish kapiten, ashtu si në kohën e vjetër.

Me afrimin e tij, Turbina mund të thuhet se e zgjidh përfundimisht çështjen e portës dhe do të jetë më e qetë për të vazhduar kampionatin.

Gjithsesi, nuk ka ende asgjë zyrtare.

Edhe pse është pranë rikthimit, për Laroshin nuk kanë rënë ende pistat nga vendi ynë.

Porta mbetet një problem për skuadrën cërrikase dhe me ardhjen e Laroshit, këtij sektori do t’i vihej kyçi. Të gjithë, duke nisur nga tifozët, e duan gjigantin cërrikas të rikthehet të luajë për ekipin e vendlindjes.

Në ditët në vijim do të vendoset përfundimisht e ardhmja e tij, pra përpara përfundimit të merkatos së verës.

Rikthimi i Laroshit do ta bënte Turbinën edhe më të fortë këtë sezon, ku sikurse dihet, ka pretendime të mëdha, ku do të synojë gjashtëshen e parë.

PISTAT NGA SHQIPËRIA

Burime të gazetës pohojnë se pas mosarritjes së marrëveshjes në Kosovë, për Laroshin janë rikthyer në skenë sërish pistat nga Shqipëria.

Bëhet fjalë për dy ekipe të elitës, të cilat gjatë kësaj periudhe kanë kërkuar me ngulm shërbimet e gardianit, por palët nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët.

Deri në mbyllje të merkatos, çdo që është e hapur dhe mund të ndodhë edhe ndonjë lëvizje surprizë.

Nga ana tjetër, është i njohur fakti se nga Kategoria e Parë, interesimi ka qenë akoma më i madh, por për aq kohë sa në këtë kategori është edhe Turbina, shanset janë që Laroshi të zgjedhë ekipin ku spikati si portier.