Fabio Hasa duket se nuk ka arritur që të bindë stafin teknik për të qenë pjesë e Kastriotit për sezonin e ri. Mbrojtësi që iu bashkua skuadrës në fazën përgatitore në Strugë, prej dy ditësh nuk është parë në seancat stërvitore të krutanëve dhe aktivizimi i tij i djeshëm në miqësoren e Burrelit në Lezhë, konfirmon se aventura e tij me krutanët zgjati vetëm pak ditë dhe se tashmë nuk do të jetë më pjesë e skuadrës.

Sakaq, dje në stërvitje me Kastriotin është shfaqur një mesfushor. Bëhet fjalë për Abjel Bejzaden. 20-vjeçari është një lojtar i ri, por që sezonin e fundit ka marrë minuta të mjaftueshme me Turbinën e Cërrikut në Kategorinë e Parë. Gjithashtu, më parë ka luajtur edhe me Korabin.

Nuk dihet nëse dhe Bejzade është në provë apo ka firmosur me krutanët. Sa i takon skuadrës, ajo ka vijuar përgatitjet normalisht për sfidën e parë të kampionatit me Bylisin.

Ende me grupin nuk janë bashkuar nigerianët Onanuga dhe Okebugu, të cilët sipas klubit pritet të jenë në Shqipëri javën e ardhshme.