Vllaznia humbi në ndeshjen e javës së 25-të të kampionatit. Shkodranët u mundën brenda në “Loro Boriçi” në shifrat 1-2 nga Tirana. Një humbje që “djeg” shumë, jo vetëm se ishte kundër rivalit historik dhe para tifozerisë shkodrane. Por edhe për objektivat sezonalë të kuqebluve që tashmë komplikohen së tepërmi.

Një takim ku Vllaznia po e dominonte në 25-30 minutat e para. Ku madje kaloi edhe në avantazh me sulmuesin Ante Aralica. Madje kroati realizoi edhe të dytin, por që u anullua për pozicion jashtë loje.

Kuqeblutë kishin edhe një penallti në favor, një goditje që mund të “mbyllte” sfidën dhe që u mor përsipër nga i zakonshmi, Liridon Latifi.

Sulmuesi gaboi nga 11 metrat, ku i hipnotizuar nga lëvizjet e Bekajt, goditja e tij shkoi në shtyllën pingule. Ky ishte gabimi i parë i këtij sezoni për futbollistin nga Prishtina. Ai ishte treguar 100% i saktë në 5 të mëparshmit. Ish-sulmuesi i Skënderbeut kishte gjetur rrjetën nga pika e bardhë e 11 metrave plot 5 herë këtë edicion.

Numri 7-të ishte treguar i saktë kundër Laçit, Egnatias, Partizanit, Kastriotit dhe Dinamos. Ky ishte gabim i parë dhe një gabim që për momentin i kushton Vllaznisë.

Kjo pasi aktualisht shkodranët janë jashtë zonës europiane në kampionat, duke qenë 3 pikë pas Kukësit që është në vendin e tretë. Tashmë të gjithë presin që Latifi të shlyejë gabimin e tij në ndeshjet e rradhës të kuqebluve.

Endri ÇINARI