Kombëtarja u-21 e Shqipërisë ka shpallur sot listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet kualifikuese kundër Çekisë dhe Anglisë. Trajneri Alban Bushi ka treguar listën me 25 lojtarë të grumbulluar ku bie në sy ndërthurja e elementit të Superligës me atë jashtë vendit.

Por gjithashtu në sy bie fakti se nuk ka asnjë futbollist të grumbulluar nga Vllaznia. Edhe Mehdi Çoba që ka qenë i grumbulluar disa herë, nuk ka gjetur vend kësaj rradhe. Kjo edhe për shkak të minutave të pakta të aktivizimit të tij tek kuqeblutë. Gjithsesi elementët nga Shkodra nuk mungojnë në kombëtaren u-21.

Kështu Klevis Bebeziqi i formuar tek akademia Vllaznia dhe tashmë pjesë e Olimpia Ljubjana në Slloveni, do jetë pjesë e kombëtares. Mario Mitaj, djaloshi me origjinë nga Vermoshi dhe që luan tek AEK në Greqi ka gjetur vend në listën e Bushit. Edhe Sergi Kalaj, futbollisti me origjinë nga Bajza dhe që aktivizohet në Itali është pjesë e 25 futbollistëve të grumbulluar.

Shqipëria do luajë në datën 25 të këtij muaji kundër Çekisë. E ndërsa kundër Anglisë në datën 29 mars. Të dy ndeshjet do luhen në “Elbasan Arena” dhe parashikohen shumë të vështira për të besuarit e Bushit.

Endri ÇINARI