E gjithë Shqipëria është në karantinë prej Coronavirusit dhe në këto kushte edhe emisionet ku në panel janë më shumë se 2 persona janë të ndaluara. Kësisoj, gazetari sportiv i RTSH, Ervin Baku ka zhvilluar disa intervista përmes linjës telefonike me presidentin Armand Duka, profesorin e njohur Përparim Kabo, ish trajnerin Shkëlqim Muça si dhe menaxherin Andi Matraxhiu.

Tema kryesore ka qenë pikërisht gjendja që po kalonë e gjithë Shqipëria prej virusit “COVID 19”. Fillimisht ka folur presidenti Duka i cili ka deklaruar: “Kjo është ndeshja më e vështirë e njerëzimit. Ne do ta fitojmë këtë ndeshje…

Paketa financiare e ndihmës së FSHF-së? Shkon aty ku ka realisht nevojë. Ekipet që varen nga bashkitë marrin pagesën nga vetë bashkitë. Kur do të rifillojmë? Siç po shkojnë gjërat, ndoshta nga fundi i muajit maj. Me apo pa tifozë? Si ta vendosin autoritetet shtetërore”.

Më tej ka qenë radha e profesorit Përparim Kabo, i cili ka një këshillë të vyer për futbollistët në këto ditë të vështira të izolimit: “Trajnerët kanë dhënë udhëzimet e tyre për lojtarët. Shumë mirë. Por mungon psikologu. Mungon edukimi psikologjik.

Unë i këshilloj të gjithë futbollistët që nëpërmjet YouTube të shikojnë ndeshjet e tyre. Të shikojnë skemat, vendosjet e tyre, levizjet tekniko-taktike… Më ka mrekulluar një atlet francez që përshkoi 42 km në ballkonin e tij. I blinduar psikologjikisht”, shton ai.

Një trajner e di më së miri se si një skuadër mund të fitojë. Edhe përballë këtij kundërshtari të padukshëm duhet të jemi gjithë një ekip për ta mposhtur. Siç thotë edhe Shkëlqim Muça, ky takim tashmë po luhet në minuta shtesë: “Kjo është ndeshje e fortë. Jemi në shtesë (2 x 15 minuta). Duhet të luftojmë fort, të shtrëngojmë dhëmbët dhe ta fitojmë këtë ndeshje”.

Një çështje e shumë përfolur ishte ndihma e FSHF-së prej 300 mijë lekësh të vjetra për çdo lojtar apo punëtor të çdo klubi të Superiores. Pikërisht këtë preku menaxheri Matraxhiu i cili theksoi se të gjithë duhen trajtuar si të barabartë në një situatë kaq të vështirë.

“Duhet të solidarizohemi shumë me njëri-tjetrin. Është turp që sot ka ish-futbollistë që vuajnë për bukën e gojës. Paketa financiare e ndihmës së FSHF-së? Duhet të jemi të gjithë të barabartë”, ka deklaruar Matraxhiu.

Në fund është doktori i njohur, i cili ka një përvojë të jashtëzakonshme në futbollin shqiptar. Tashmë në pension, ai dha 4 këshilla për futbollistët: “Futbollistët duhet të kenë parasysh 4 gjëra, shumë të rëndësishme: Aerobinë, mbajtjen e forcës, ushtrimet proprioceptive dhe streçingun. Kur të rifillojë aktiviteti, çdo futbollist që ka marrë 3 kg e plus duhet të penalizohet nga trajneri i tij”./newsport/