Agim Ibrahimi ka pasur një karrierë shumë të mirë, teksa ka qenë një nga lojtarët që ka shkëlqyer më shumë dhe më pas ka zgjedhur të luajë për Maqedoninë e Veriut.

Ka pasur mundësinë të luajë për ekipe si Maribori dhe Kaljari, me këta të fundit që është bërë pishman që nuk qëndroi më shumë.

Tashmë pjesë e Shkëndijës së Tetovës, sulmuesi është shprehur se në të kaluarën është folur për një kalim te Shqipëria, por futbollistët shihen si biznes, duke shtuar se i janë kërkuar edhe lekë për të luajtur për Kombëtaren kuqezi. “Ndoshta duhet të kisha qëndruar më shumë te Kaljari, pasi edhe atje donin të më mbanin, duke ditur që për huazimin tim paguan 900 mijë euro.

Megjithatë unë vendosa të rikthehem përsëri te Maribori, kjo për shkak se luante në kupat e Europës. Në të kaluarën kam pasur edhe ofertë nga Partizani dhe nuk i dihet nëse një ditë luaj në Kategorinë Superiore.

Shqipëria? Ne lojtarëve shumë na shikojnë si biznes dhe lekë. Atëherë kam pasur shumë telefonata, por shumë njerëz fusin hundët në punët e futbollistëve. Kishte aq sa kërkonin lekë për të luajtur për Shqipërinë.

Kosovë-Maqedoni? Unë mendoj se Maqedonia është favorite në këtë ndeshje. Unë nuk mund të jem pjesë në këtë ndeshje.”, u shpreh Ibrahimi për “Supersport”.