Lojtari me origjine nga Bajza Aristidi Kolaj (Kalaj) vazhdon të bëhet protagonist në Serinë C, duke treguar ndeshje pas ndeshje se po kthehet në formën më të mirë që e bëri atë një nga talentet më premtues të Shqipërisë U21.

Mesfushori ka lënë gjurmë edhe në ndeshjen e sotme të Pro Patrias ndaj Pergoletezes, duke dhënë një asist në fitoren 2-1.

Pak ditë pasi kishte shënuar në suksesin e ekipit ndaj Lukezes me rezultatin 3-0, Kolaj tregoi përsëri të njëjtën formë edhe në ndeshjen e sotme, duke ndihmuar ekipin e tij që të merrte fitoren e dytë radhazi.

Këtë herë ai shërbeu për golin e Parker, duke i dhënë një asist perfekt sulmuesit i cili shënoi golin e dytë të ekipit të tij.

Kështu, Pro Patria ngjitet në zonën e play-off për Serinë C dhe renditet mes pretendenteve për Serinë B në edicionin e ardhshëm. Një arritje e shkëlqyer për këtë ekip, i cili normalisht luan për të qëndruar në kategori.

Një arritje e shkëlqyer edhe për Kolajn, i cili tregon se mund të luajë shumë mirë në Serinë B dhe në sezonin e ardhshëm, nëse nuk kthehet te Sasuolo që zotëron kartonin e tij, mund të provojë një kategori më lart. /vipsport/