Mesfushori i Vllaznisë, Lorik Boshnjaku, ka qenë një nga lojtarët më të mirë në fushë në ndeshjen ndaj Kukësit. vfdgbf
Goli i tij në fillimin e pjesës së dytë vulosi fitoren 3- 1, ndërsa ka marrë më shumë rëndësi për lojtarin edhe për dedikimin që ka pasur më pas.
Një festim që paralajmëron ardhjen në jetë të fëmijës së tij të parë. Ky gol ka shkuar për bashkëshorten e tij, ndërsa në intervistën për mediat, ai është shprehur se ekipi duhet të qëndrojë me këmbë në tokë për vazhdimësinë në kampionat. Vllaznia i ka bërë një nisje shumë të mirë sezonit, por sipas mesfushorit nga Prishtina, tashmë skuadra duhet të vijojë me këtë ecuri edhe në ndeshjen ndaj Erzenit, që do të luhet të premten në fushën asnjanëse të Rrogozhinës në orën 16:00.
Lorik, e nisët kampionatin me një gol që vulosi edhe fatin e takimit ndaj Kukësit. E prisnit se mund të ndodhte kështu në start?
Nuk mund të them se ishte ai goli vendimtar i ndeshjes. Madje mund të them se ai gol sikur e ftohi pak ndeshjen, pasi ne e ulëm nivelin e lojës dhe i dhamë më shumë mundësi Kukësit për të na rrezikuar. Megjithatë, për mua ishte një gol i bukur dhe mbi të gjitha për ekipin që e nisëm me fitore. Jemi të kënaqur pas kësaj ndeshjeje të parë.
Një gol me dedikim, a mund të na thoni çfarë ishte ai gjest…?
Padyshim që goli kishte një dedikim të veçantë. Në radhë të parë, për bashkëshorten dhe fëmijën tim të parë, që pritet të vijë në jetë dhe pastaj për familjen time. Natyrisht edhe gjithë familjen kuqeblu.
Në start u pa një Vllazni e bukur. Mendoni që premton për trofe ky grup i ndërtuar këtë sezon?
Është herët të flitet për trofe. Ne i bëmë një nisje shumë të mirë kampionatit, por është shumë herët të komentojmë gjëra të tilla. Së pari, duhet që të jemi me këmbë në tokë. Të shikojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe në fund të bëjmë llogaritë. Në fazën e fundit do të flasim për titull apo trofetë e tjerë.
Këtë javë luani ndaj Erzenit në transfertë, si e shikoni këtë sfidë?
E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë. Normalisht nëse do të vazhdojmë kështu si në ndeshjen ndaj Kukësit, do të arrijmë që t’ia dalim mbanë. Duhet të jemi të kujdesshëm për të vijuar me fitore.