Kukësi do ketë sot një përballje të vështirë të vlefshme për javën e 14-të të Superligës. Verilindorët që ndodhen në vendin e dytë të renditjes me 24 pikë, do jenë përballë Partizanit të vendit të 5-të me 18 pikë. Një duel direkt për vendet e para të renditjes, për të mos thënë për titull kampion.

Kuksianët e drejtuar nga trajneri italian Longo vijnë pas barazimit 0-0 kundër Teutës në javën e shkuar. Ndërsa Partizani pas fitores në derbi kundër Dinamos në shifrat 1-0. Kjo përballje në sezonet e fundit ka qenë një nga më të bukurat e kampionatit. Blutë dhe të kuqtë kryeqytetas kanë vendosur shpesh fatet e sezonit në sfidat mes tyre.

E kjo përballje kaq interesante dhe e fortë do zhvillohet sot në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. Kjo pasi Kukësi që është në rolin e pritësit ka zgjedhur impiantin e qytetit të Shkodrës për luajtjen e kësaj ndeshjeje. Kjo do jetë hera e dytë këtë sezon që kuksianët luajnë në Shkodër.

Ata ishin përballë Tiranës edhe javën e 9-të ku fituan 2-1. E po ashtu do rikthehen si udhëtues të enjten kundër Vllaznisë vendase kësaj rradhe. “Loro Boriçi” duket si një shtëpi e dytë për 1 herë kampionët e vendit këtë sezon dhe fatsjellës.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Partizanin që në ndeshjen e tyre në Shkodër këtë sezon është mundur nga Vllaznia 1-0. Tashmë pritet të shihet përfundimi i ndeshjes nëse Kukësi do vijojë me traditën e mirë në Shkodër apo Partizani do thyejë “tersin” e “Loro Boriçi”.

Endri ÇINARI