Pak vite më parë ka provuar ndjesinë e të shpallurit kampion me këtë grupmoshë, çka do të thotë se nuk ishte trofeu i parë për të si trajner.

Megjithatë pasditen e sotme në Elbasan, Luan Zmijani është ndjerë vërtetë i lumtur pas fitores tashmë të Kupës së Shqipërisë me 19 vjeçarët e Vllaznisë.

Skuadra që ai drejton ka fituar me rezultatin 4-0 në finale ndaj Shkëndisë së Tiranës, një rezultat që tregon për dominimin absolut të kuqebluve.

Në prononcimin e tij për “Shkodra Sport” pas ndeshjes, “timonieri” i kësaj skuadre shprehet:

“Kënaqësi e madhe për këtë sukses të arritur me Vllaznia U-19 sepse është hera e parë që ky ekip fiton trofeun e Kupës së Shqipërisë sepse titullin kampion e kishte fituar disa herë”.

I pyetur se çfarë kishte të veçantë ky trofe, Luan Zmijani do të përgjigjej:

“Ishte një fitore e madhe për vetë faktin se do të ndikojë për mirë në vazhdimësinë e aktivitetit, pra të kampionatit sepse edhe aty kemi pretendimet tona”.
© shkodrasport.com