Sot pasdite është luajtur ndeshja e fundit e javës së shtatë të kampionatit kombëtar të futbollit të femrave, që ka konsistuar në përballjen e dy ekipeve shkodrane, atij “Juban Danja” dhe AAS. E para ka luajtur më mirë dhe e ka fituar ndeshjen me rezultatin e thellë 5-1.

Pjesa e parë në fakt ka qenë e ekuilibruar. Klaudia Rrotani brenda dy minutash ka shënuar dy herë për ekipin e saj të “Juban Danjes” në minutat 11 dhe 12 ndërkohë që Tukaj ka ngushtuar shifrat në minutën e 32-të për AAS.

Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 2-1. Në të dytën ishte tjetër histori sepse vajzat e drejtuara nga trajneri Kastriot Preka kanë shënuar edhe tre gola të tjerë. Dy prej tyre mbajnë firmën e Paula Jakut që e ka dërguar topin në rrjetë në minutat 68 dhe 88 ndërsa golin tjetër e ka shënuar futbollistja Ndoci.

Përfundimisht 5-1 për “Juban Danjen” që ngjitet në kuotën e 7 pikëve duke mbajtur tashmë vendin e gjashtë në renditje ndërkohë që AAS mbetet në kuotën e 6 pikëve dhe mban vendin e shtatë.
© shkodrasport.com