Atletja Luiza Gega nuk ka siguruar një vend për në finalen e garës së 1500 metrave, në Botërorin e sallave të mbyllura që po zhvillohet në Birmingam të Britanisë së Madhe, objektiv që ajo e dinte që do ta kishte të vështirë ta realizonte.

Arsyeja? “Për fat të keq nuk munda të kualifikohem për në finalen e garës së 1500 metrave në Botërorin e Birmingamit.

E dija që do të ishte e vështirë, pasi edhe për mua ky ka qenë një vit i vështirë në stërvitje.

Të bëja fazën përgatitore në Tiranë, pa infrastrukturë minimale nuk ka qenë aspak e lehtë.

E megjithatë, una isha gjatë gjithë garës me më të mirat e botës dhe kjo më bën të ndihem e kënaqur dhe krenare për çfarë kam arritur”, thotë Luiza Gega.

https://www.instagram.com/p/Bf3LiMiH-xp/?utm_source=ig_embed

 

Megjithatë, kampionia e Shqipërisë, që gjithnjë na ka mësuar me medalje e fitore, nuk tërhiqet pas në rrugën e saj dhe premton se do të tregojë se sa vlen në eventet e ardhshme ndërkombëtare.

Ndërkohë që bën edhe një apel për shtetin, që të hedhë më shumë sytë nga sporti. “E di që kam mundësi për më shumë, ndaj jam e motivuar për çfarë do të sjellë sezoni i verës, ku kam sërish shumë gara të rëndësishme përpara.

Ndaj, ndihem gati për të filluar stërvitjen, ndërkohë që shpresoj që vëmendja nga shteti të ndryshojë sadopak”, deklaroi në faqen e saj zyrtare “Facebook” dhe “Instagram” atletja Luiza Gega, një ikonë e sportit shqiptar dhe e atletikës./telesport/