Dita e sotme ka qenë speciale për Marash Kumbullën. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare të futbollit sot ka mbushur 23-vjeç dhe normalisht ka marrë shumë urime për këtë ditë të shënuar. Por mënyra se si ai e ka festuar ka qenë shumë speciale, pasi e ka bërë këtë duke shpërndarë dhurata.

Mbrojtësi shqiptar bashkëpunon me Save The Children në projekte të ndryshme dhe këtë ka bërë edhe në ditëlindjen e tij.

Nëpërmjet videos së shpërndarë nga kjo organizatë, është bërë e ditur se Kumbulla ka dërguar dhurata në Kopshtin nr, 3 në Burrel, duke i furnizuar vogëlushët e vegjël me lapsa, fletore dhe lodra.

“Përshëndetje fëmijë, dëshiroj t’ju uroj fat të mbarë në fillimin e rrugëtimit tuaj. Kujtohuni që mësimi dhe edukimi janë të rëndësishëm, kjo është vetëm një ndihmë që desha t’u jepja, por gjithçka nis nga ju!

Shpresoj që një ditë të takohemi dhe të kalojmë bashkë një ditë të lumtur. Paçi fat”, ishte urimi i mbrojtësit shqiptar ndaj këtyre vogëlushëve që u bënë protagonistë të ditëlindjes së tij.