Odise Roshi ka dhënë një intervistë për emisionin “Analizë Kuq e Zi” në “Supersport”. Anësori i Kombëtares Shqiptare u pyet fillimisht për tërmetin në Turqi, aty ku ai jeton aktualisht ndërsa më pas u ndal edhe te Kombëtarja kuqezi.

“Kjo që i ka ndodhur Turqisë është një traumë për të gjithë, pasi ka prekur 3-4 qytete dhe ka qenë shumë i fuqishëm si tërmet. Ka shumë viktima e shkatërrim, ndaj jemi tronditur të gjithë. Sot (dje) kemi bërë një stërvitje shumë të lehtë, pasi asnjë në ekip nuk kishte dëshirë të vraponte”, ka thënë fillimisht Odise Roshi.

Ne i respektojmë të gjithë trajnerët, por skema me tre nuk ishte e përshtatshme për Shqipërinë, pasi shumica e lojtarëve luajnë me katër në klubet ku janë. Unë kam luajtur për herë të parë me Rejën, në mbrojtjen me tre. Sylvinho luan me 4 në mbrojtje dhe besoj se ky rreshtim do të na përshtatet më mirë. Trajneri po komunikon me të gjithë lojtarët për t’i njohur dhe për t’u marrë më të mirën, ndaj besoj se kemi shanset e duhura për të shkuar në Europian. Besoj se do t’ia dalim.

Kemi një ekip shumë të mirë, ndonëse kemi disa emra të dëmtuar si Broja, Bare e Gjasula. Gjithsesi duhet ta nisim mbarë, si në 2014-ën, dhe të besojmë, pasi mund t’ia dalim. Duhet ta nisim mirë me Poloninë, pasi me Çekinë besoj se jemi në të njëjtin nivel.

Unë kam ndjekur shumë Kombëtaren, edhe ndër vite, ndaj besoj se ky grup ka cilësinë më të mirë, por duhet që lojtarëve t’u merret maksimumi. Nëse trajneri Sylvinho do të arrijë t’u marrë maksimumin futbollistëve të këtij grupi, atëherë do të ecim shumë”, ka deklaruar Odise Roshi./newsport/