Pas 8 vitesh në krye të Sportklub Vllaznia, Mark Kroqi tashmë nuk do të jetë më drejtor i tij. Emri i njohur i volejbollit shkodran i ka paraqitur dorëheqjen drejtuesve të Bashkisë sepse duke përfituar nga statusi i ish- deputetit, përfiton daljen në pension të parakohshëm.

Për këtë arsye, të mërkurën e ardhshme ai mbush 60 vjeç dhe si rrjedhojë ka vendosur të largohet nga drejtimi i këtij klubi sepse tashmë edhe jeta e tij është në mes Shqipërisë dhe Amerikës, vend ku jetojnë fëmijët e tij.

Për këtë arsye, ditën e sotme Kroqi ka mbledhur në një banket të gjithë administratën e klubit si dhe trajnerit e tij, për t’i falenderuar për bashkëpunimin shumë të fryshëm që kanë patur gjatë gjithë këtyre viteve.

E ka marrë këtë detyrë në shkurt të vitit 2013 dhe e lë atë në janar të këtij viti, pra pas gati 8 vitesh. Gjatë kësaj periudhe është munduar të bëjë më të mirën, si në anën e arritjes së rezultateve pozitive të ekipeve të SK Vllaznia, por edhe në infrastrukturën e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”.

Gjatë këtyre viteve ndërkohë në momente të caktuara ka kryer edhe detyrën e trajnerit të ekipit të volejbollit të Vllaznisë, fillimisht me të rriturit me të cilin në fakt arriti të fitojë të parin dhe të vetmin titull kampion deri më tani, atë të vitit 2017.Ka drejtuar më pas edhe ekipin e të rriturave dhe për një kohë të shkurtër edhe atë të të rejave.

Tashmë duhet pritur vendimi i kryebashkiakes Ademi për të mësuar emrin e pasuesit të tij në postin e drejtorit të Sportklub Vllaznia./SHKODRA-SPORT.COM/