Herald Marku, mes fushori i skuadrës kuqeblu, është besimplotë se Vllaznia do të bëjë më të mirën në fundjavë ndaj Skënderbeut dhe të vijojë rrugëtimin drejt titullit kampion. Kupa dhe kampionati tani duket se janë objektivat madhorë të skuadrës së trajnerit Brdariç.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Marku pohoi se skuadra duhet që të vlerësojnë drejt çdo kundërshtar dhe të luftojnë deri në fund për më të mirën. Ish-sulmuesi Albert Kaçi një ditë më parë pohoi se këtë fundjavë do të shikohet se cila e fiton Kupën, por mesfushori ka mendim ndryshe, pasi Vllaznia synon edhe titullin.


Fitorja me shifra të thella në Fier a tregon forcën e Vllaznisë për pjesën e mbetur të sezonit?

Ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne. Më shumë se forcë tregon vlerësimin maksimal që kemi kundrejt çdo kundërshtari.


8 javë drejt fundit, a do të jetë Vllaznia kampione?

Në 8 javë do të jetë një luftë e fortë për titull, por ne shpresojmë për më të mirën deri në fund.


Kujt duhet t’i ruhet më shumë skuadra shkodrane?

Vllaznia i ruhet dhe vlerëson çdo kundërshtar që do të ndeshet me të.


Vllaznia është edhe në finale të Kupës. A mund të thuhet se Europa është objektiv i arritshëm?

Europa është objektiv i arritshëm, pavarësisht finales. Ky objektiv ende nuk quhet i siguruar. Biletën për në Europë duhet ta sigurojmë edhe nëpërmjet kampionatit, që të jemi të qetë në fund.


Duke qenë në garë për dy trofetë, mund të bëhen realitet të dy?

Sigurisht që mund të bëhet realitet. Mundësia është në dorën tonë dhe do të japim çdo gjë ta arrijmë.


Të shtunën ndaj Skënderbeut. Çfarë pritet nga Vllaznia, pasi specialistët thonë që nga ky takim mund të vendoset edhe Kupa?

Është një ndeshje e vështirë dhe nga ne ka vlerësimin më të drejtë të mundshëm. Vllaznia do të futet në fushë për ta fituar ndeshjen, në mënyrë që të vazhdojmë luftën për titull.


Cilën nga skuadrat e shikoni më favorite për titull?

Duke shikuar pikët dhe renditjen, të pesta skuadrat e para do të luftojmë për titull. Nuk mund të veçoj asnjërën prej tyre.