Interi ka arritur një fitore të rëndësishme në Ligën e Kampioneve përballë Milanit me shifrat 2-0 dhe ka hedhur një hap të sigurt drejt finales së turneut. Dhe sipas administratorit Xhuzepe Maropa, meritë ka padyshim Simone Inzagi, i cili kishe bërë gjithçka si duhet për këtë duel.

Këtë ai e përsëriti me forcë sot, duke folur me bindje thuajse të plotë se Inzagi do të vazhdonte të ishte trajneri i zikaltërve edhe në edicionin e ardhshëm, pavarësisht luhatjeve në këtij sezoni apo dyshimeve të ngritura herë pas here nga tifozët.

“Inzagi e kishte përgatitur shumë mirë, merita e arritjes së djeshme është e tija, fitorja e madhe bën pjesë edhe në një vlerësim që gjen si protagonistë disa futbollistë tanë që janë më te vërtetë të aftë. Janë të gjithë, por disa aksione të rëndësishme na kanë mundësuar që të përjetojmë këtë mbrëmje. Nuk do të qëndrojmë duarkryq, e dimë që janë edhe 90 minuta të tjerë për t’u luajtur dhe në futboll kam parë edhe situata të përmbysen. Duhet të kemi vendosmërinë dhe forcën të përballojmë ndeshjen e kthimit si të ishte ndeshja e parë dhe e vetme.

A do të jetë trajneri i Interit vitin e ardhshëm? Mendoj se po, vlerësimet mbi një trajner nuk bëhen mbi episodet, por duhet parë në tërësi dhe ai ishte i aftë nga kjo pikëpamje. Ana negative, për Interin por edhe për skuadra të tjera të mëdha, është që kemi bërë një kampionat si spektatorë dhe kjo nuk është në favor. Por sa i përket pjesës tjetër, sezoni ka qenë pozitiv”, ishte analiza që i bëri trajnerit administratori i deleguar i Interit.