Pep Guardiola pranoi se ai e ka të qartë në kokën e tij planin për mënyrën se si do të përballet me Realin e Madridit në gjysmëfinalen e kthimit në “Etihad”.

Kampionët e Anglisë morën një barazim 1-1 në “Bernabeu” të martën, një ndeshje në të cilën ata dominuan edhe njëherë zotërimin e topit, por vuajtën për të përfshirë Erling Halandin në lojën e tyre. Anglezët e panë veten në disavantazh në momentin e tyre më të mirë, me një goditje nga distanca të Vinicius Zhuniorit, ndërsa në pjesën e dytë iu përgjigjën me një gol akoma më të bukur të Kevin de Bryjnes nga distanca.

Trajneri katalanas do të rishikojë pamjet e duelit të parë përpara se të vendosë se çfarë mund të bëjë ndryshe në ndeshjen e kthimit. Por ai foli në konferencë për dëshirën për të gjetur më tepër hapësirë për Halandin, ndërsa pritet që të bëjë disa ndryshime edhe në mbrojtje. Dhe ai pranoi se e ka identifikuar atë që ka nevojë skuadra e tij, por sigurisht nuk mund të tregojë detaje publikisht.

“Ne do të shohim ndeshjen dhe provojmë, sepse në ndeshjen e parë paraqitja ishte e mirë, por nuk kishte mjaftueshëm agresivitet për të shënuar. Ne presim që të përshtatemi pak në ndeshjen e dytë. Unë e kam disi idenë se çfarë kemi nevojë të bëjmë”, tha Guardiola.

“Tani është një finale. Ne e dimë ekzaktësisht atë që ata kanë bërë. Ndoshta do të korrigjojmë diçka, ndoshta jo. Ne duhet të shohim nëse mund të mbrohemi pak më mirë në disa zona dhe sulmojmë, sepse Rydiger ishte shumë pranë Erlingut dhe nuk ishte e lehtë të gjeje hapësira për Halandin.

Por ne do të provojmë të rregullojmë diçka për të qenë më të rrjedhshëm në ndeshjen e kthimit dhe luajmë me pak më shumë ritëm, sepse ne luajmë në shtëpi dhe në shtëpi ne ndihemi komodë me njerëzit tanë. Ne do ta provojmë. Skuadra që do të fitojë ndeshjen do të shkojë në finale”, nënvizoi katalanasi.